Sabri (durimi) është sa gjysma e Imanit

Në Kuran sabri përmendet në më shumë se 70 vende, ku flitet për vlerat e sabrit dhe ju drejtohen lëvdata burrave të durueshëm dhe grave të durueshme. E gjithë kjo na tregon për rëndësinë e madhe të sabrit dhe për nevojën për të në jetën e njerëzve. Cila është domethënia e sabrit si virtyt, më së miri e shohim në hadithin e Pejgamberit (savs), i cili ka thënë: “Sabri është gjysma e imanit (besimit).” (Musnedush-Shihab el-Kuda’i: 151).

Duke e shpjeguar këtë hadith, imam Gazaliu thotë: “Është e pamundur të braktiset mëkati dhe të vazhdohet në bindje, përveçse me durim i cili në thelbin e tij është shfrytëzim i shtytjes së besimit në kufizimin e shtytjes së pasionit dhe përtacisë, ashtu që në këtë kuptim, durimi do të jetë gjysma e besimit.” (El-Ihja ‘, 7/192).

Sabri në çdo gjë
Duke u bërë thirrje besimtarëve që të jenë të durueshëm, Allahu i Lartësuar thotë:

“O besimtarë! – bëhuni të durueshëm dhe të qëndrueshëm (në durim), bëhuni të vendosur (në kufi të armikut), dhe kini frikë Allahun, për ta arritur shpëtimin e dëshiruar.” (Alu Imran, 200)

Thirrja e parë drejtuar besimtarëve këtu është thirrja për sabër. Megjithëse shumë komentues të Kuranit sabrin në këtë vend e specifikojnë kuptimisht, p.sh., sabri gjatë luftës me armikun, sabri në lidhje me pesë namazet ditore, etj. Mirëpo, nuk ka asnjë pengesë, nga aspekti kuptimor, edhe pse në ajet nuk ka asnjë përcaktim specifik, që sabri në këtë pikë të kuptohet në kuptim edhe më të gjerë, e që do të ishte: “O besimtarë, jini të durueshëm në të gjitha situatat e jetës, edhe kur jeni në mundësi edhe kur keni telashe.”

Tre llojet e sabrit:

Dijetarët muslimanë sabrin zakonisht e ndajnë në tre lloje:

Sabri në caktimin e Zotit, në atë që na godet, qoftë e mirë apo e keqe, si: vdekja e një të dashuri, falimentimi i kompanisë, sëmundjet, etj;
Sabri në bindje ndaj Allahut të Plotfuqishëm, siç është p.sh. agjërimi gjatë muajit ramazan (në fakt, muaji ramazan është quajtur muaj i sabrit, sepse ai në vete i bashkon të tri llojet e sabrit), xhihadi, etj.; dhe
Sabri për tu përmbajtur nga mëkati.
Ibn Abbasi ka thënë: “Durimi në Kuran i ka tre kuptime:

Kuptimi i parë është: Durimi në kryerjen e detyrave ndaj Allahut të Plotfuqishëm, dhe për këtë fitohen 300 derexhe;
Kuptimi i dytë është: Durimi për tu përmbajtur nga kryerja e atyre (gjërave) që Allahu i ka ndaluar, dhe për këtë fitohen 600 derexhe; dhe
Kuptimi i tretë është: Durimi me të cilin përballohet fatkeqësia me rastin e goditjes së parë, dhe për këtë fitohen 900 derexhe.” Këtë transmetim e regjistron imam Gazaliu në El-Ihja’u-n e tij, Libri për durimin dhe mirënjohjen, 7/175-398.
Imam Gazaliu këtu thotë se njeriut të bindur në bindjen e tij i nevojitet durimi në tre situata:

Situata e parë: Është ajo që i paraprinë bindjes, dhe atëherë duhet të pastrohet nijeti (qëllimi). Duhet bërë durim për tu përmbajtur nga përzierja e shtirjes, me vendosmëri të fortë që të jetë e sinqertë vetëm për Allahun e Plotfuqishëm, gjë që është formë shumë e rëndë e durimit. I Dërguari i Allahut (savs), këtë e paralajmëron me fjalët: “Veprat vlerësohen ekskluzivisht sipas qëllimeve.” (Buhariu). Për këtë shkak, thotë Imam Gazaliu, durimi vihet në vendin e parë, madje edhe para veprës. Andaj Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Përveç atyre, të cilët kishin durim dhe bënin vepra të mira, të tillët kanë falje (të gabimeve) dhe shpërblim të madh.” (Hud, 11).
Situata e dytë: Është me rastin e kryerjes së vetë veprës, që të mos bie në neglizhencë ndaj Allahut të Plotfuqishëm me rastin e kryerjes ndonjë vepre, pastaj personi që e kryen veprën mos të kaplohet nga përtacia në përmbushjen e të gjitha normave dhe rregullave në lidhje me veprën, si dhe të vazhdojë në zbatimin e të gjitha këtyre deri në momentin e fundit dhe në veprën e fundit. Kjo gjithashtu është formë e rëndë e durimit. Ndoshta kësaj i referohen këto fjalë të Allahut: “Sa i bukur është shpërblimi i punëtorëve. Të cilët kanë duruar dhe janë mbështetur te Zoti i tyre.” (el-Ankebut, 58-59), dmth. ata të cilët ishin të durueshëm deri në realizimin e veprës në tërësinë e saj.
Situata e tretë: Është pas përfundimit të vetë veprës, sepse nevojitet durim që për veprën të mos flitet shumë, ajo mos të shndërrohet e tillë që të dëgjohet dhe të dihet shumë për të. Me durim bëhet përpjekje që vepra mos të shikohet me mendjemadhësi, pastaj duhet përmbajtur nga të gjitha ato (gjëra dhe veprime) që veprën e bëjnë të pavlefshme. Sepse në Kuran thuhet: ““O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që ia jep pasurinë e vet sa par sy e faqe të njerëzve…” (el-Bekare, 264) – sepse ai i cili nuk mund të jetë i durueshëm dhe të përmbahet nga krenaria dhe fyerja e bën veprën e tij të pavlefshme.
Sabri më i vështirë
Kur flet për sabrin për tu përmbajtur nga mëkati, imam Gazaliu thotë se forma më e vështirë e durimit është ajo me të cilën përmbahemi nga mëkati, e cila është bërë e zakonshme për shkak të kryerjes së shpeshtë. Imam Gazaliu thotë se kjo është për arsye se zakoni ka natyrën e vet të veçantë. Andaj, kur zakoni bashkohet me pasionin, paraqitën dy ushtarë të shejtanit, të cilët e sulmojnë ushtrinë e Allahut të Plotfuqishëm, dhe pastaj shtytja e besimit nuk është në gjendje për t’i mposhtur. Gjithashtu, një nga shkallët më të mëdha të durimit është edhe durimi në ngacmimet e njerëzve (El-Ihja’, 7/206 dhe më tutje).